martedì 11 febbraio 2025

Kineastët kërkojnë reagimin e Ministrisë së Kulturës 12 Shkurt 2025


Kineastët kërkojnë reagimin e Ministrisë së Kulturës! Shoqatat insistojnë për takim urgjent pas reagimit të QKK-së

Kineastët kërkojnë reagimin e Ministrisë së Kulturës për problematikat e ngritura prej tyre në lidhje me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë dhe drejtorin Eol Çashku. Ata janë mbledhur sërish më 10 shkurt dhe përmes një letre të hapur kërkojnë takim me ministrin dhe adresim të situatës.



Blerina Goce
12 Shkurt
PDF/ Përgjigjja e shoqatës së kineastëve:
TIRANE- Ministria e Kulturës hesht ndaj kërkesës së përsëritur të kineastëve për takim me ministrin Blendi Gonxhja, ndërkohë që komuniteti i kineastëve kërkon zgjidhje të problemeve në raport me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë.
Pas reagimit të QKK-së dhe drejtorit Eol Çashku, me një letër drejtuar redaksisë së “Report TV” dhe “Shqiptarja.com”, që i cilëson kërkesat e kineastëve “sulm të koordinuar e intensiv, përmes manipulimit dhe shpifjeve të bëra” ngjan se tashmë komunikimi mes kineastëve dhe QKK-së është jo-ekzistent.
Të mbledhur më 10 shkurt, kineastët kanë vendosur të përshkallëzojnë reagimin e tyre duke ia adresuar shqetësimet e tyre ministrisë dhe redaksisë sonë, përmes një letre të hapur, ndërsa vërejnë se është më e nevojshme se kurrë vëmendja e ministirisë, që ky konflikt të mos përkeqësohet!
LETRA E DYTË/ Kineastët: Qendra e Kinematografisë në shkelje ligjore, thirrje Gonxhes: Duhet ndërhyrë, verifikoni pretendimet
Të indinjuar nga përgjigja me tone jo bashkëpunuese për ta, ata theksojnë sërish çështjet tepër shqetësuese në lidhje me komunitetin, ndërkohë që nënvizojnë faktin, se është fyerje për sukseset e kinematografisë shqiptare të viteve të fundit, përbuzja nga ana e Çashku në lidhje me prodhimin kinematografik të pas vitit 1997, ku shumë filma kanë çarë në arenën ndërkombëtare duke konkuruar me sukses në një sërë festivalesh të Kategorisë A, por arsyeja që ata vijojnë të mbeten stok është mungesa totale e një politike distribucioni nga ana e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
“Është fakt i njohur botërisht që, shumica e filmave të financuara nga QKK, nga viti 1997, me gjithë mundësinë e lirisë për t’i qarkulluar dhe për të konkuruar me to jashtë vendit, vijojnë të mbeten stok. Kështu që, nuk qëndron pretendimi i kryetarëve të shoqatave se, konkurojnë me shumë sakrifica në botë. Ndërkohë, kineastët shqiptarë deri në vitet ’90 nuk e kishin mundësinë për të shfaqur dhe konkuruar me filmat e tyre jashtë vendit, megjithëse ato vijojnë të kenë kërkesë e shikueshmëri të lartë edhe në ditët e sotme, brenda dhe jashtë vendit. Këto të dhëna janë marrë nga vetë producentët.”, - thuhet mes të tjerash në reagimin e QKK-së dhe Eol Çashkut më 7 shkurt.
“Me shqetësim konstatojmë në përgjigjen e Kryetarit të QKK një qëndrim tejet problematik ndaj kinematografisë bashkëkohore shqiptare. Krahasimi me periudhën e Kinostudios është thellësisht i pabazuar dhe absurd. Në mënyrë të pajustifikuar Kryetari i QKK injoron përpjekjet e kineastëve shqiptarë, të cilët përballen çdo ditë me një treg të mbingarkuar me prodhime kinematografike të mirëfinancuara jo vetëm në prodhim, por të mbështetura financiarisht edhe në lobim për kualifikimin në festivale të rëndësishme, apo edhe në promocion nga shtetet e origjinës.”, - thonë kineastët në letrën e tyre pas këtij komenti.
Ata vërejnë se kineastët shqiptarë pasi u përballën me traumën e shkatërrimit total të kinemave dhe të infrastrukturës së shpërndarjes së filmave shqiptarë pas viteve '90-të, sot, veç reduktimit drastik të buxheteve për prodhim filmik, sot përballen me indiferencën, pasi mungon totalisht mbështetja shtetërore për shpërndarjen e filmit shqipar dhe aktualisht iu duhet të përballen edhe me fyerje e nënvlerësim për veprat e tyre, duke i quajtur stok.
“Kryetari i QKK-së nuk është një kritik arti që i lejon vetes të bëjë vlerësime për filmat, mund të jetë i tillë në profesion, por në funksionin që ushtron ka si mision kryesor të nxitë dhe të reformojë sistemin. E ftojmë Kryetarin që me të dhënat që disponon në institucion të publikojë statistika lidhur me financimet e bëra, produktet e financuara dhe arritjet e tyre.”, - vërejnë kineastët.
Ata shprehen të indinjuar nga injorimi që përgjigja e Çashkut dhe QKK-së iu bën arritjeve të pamohueshme të filmave shqiptarë në arenën e festivaleve ndërkombëtare të viteve të fundit (ku mund të përmendim emra, si: Bujar Alimani- fitues në Berlin dhe në Varshavë, Gentian Koçi në Sarajevë e në Tallin, Robert Budina në Tallin dhe në Varshavë, Florenc Papas në Sarajevë, Keti Stamo në Venecia, Fatmir Koçi në Selanik. Lorin Terezi në Busan, etj.). duke iu shtuar këtyre dhe sukseset e nje sërë bashkëproducentëve shqiptarë të filmave të parë të autorëve kosovarë etj).
“Ne mendojmë se në totalin e filmave artistikë të metrazhit të gjatë të mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, mbi 60% e tyre janë selektuar në festivale ndërkombëtare të kategorisë A. Producentët shqiptarë kanë arritur me shumë sakrifica të krijojnë bashkëprodhime të suksesshme ndërkombëtare, të sigurojnë qindra vende pune në sektor dhe të ngrejnë ekspertizën profesionale në nivele evropiane. Me mbështetje 30-40% nga buxheti i shtetit, filmat artistikë shqiptarë arrijnë të realizojnë vepra dinjitoze që bëhen pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare. Me një përllogaritje të përafërt bërë nga ana jonë rezulton që në 1 milionë euro që shteti shqiptar financon metrazhet e gjata, si efekt i bashkëprodhimeve bëhen pjesë e filmave 3-4 milionë Euro.”
Përgjigja sipas kineastëve është edhe më fyese, kur këtyre arritjeve iu vihen përballë filmat e periudhës komuniste për distribucionin e të cilëve në çdo cep të vendit ishte i angazhuar i tërë aparati shtetëror i propagandës, ndërsa sot nuk ekziston kurrfarë mbështetjeje apo strategjie shtetërore për distribucionin, as të filmave të suksesshëm në arenën e festivaleve ndërkombëtare.
“Krahasimi me prodhimet e Kinostudios është krejtësisht i papërshtatshëm duke qenë se Kinostudioja operonte me buxhete të plota shtetërore, ku shumica e filmave shërbenin si vegla propagande, shpërndarja dhe shfaqja ishin të garantuara nga shteti. Në morinë e filmave të prodhuar nga Kinostudioja shumë pak prej tyre prodhime kanë vlera të qëndrueshme artistike.”
Ndërkohë ata kanë përmendur sërish shkeljen e afateve të rregullores për kohën në dispozicion të Këshillit Miratues të Projekteve për të lexuar projektet kinematografike.
Sipas tyre, Këshillat Miratues të Projekteve përbëhen nga përfaqësues të shoqatave të kineastëve dhe ata kanë informacionin për datën kur janë përcjellë projektet tek anëtarët e KMP, ndaj ritheksojnë se afati 10 ditor në dispozicion të KMP për të lexuar projektet nuk është respektuar, në ndryshim nga çfarë pohohet në reagimin e QKK-së.
Ndërkohë, një tjetër pikë me rëndësi për t’u përmendur ka të bëjë me atë që kineastët e cilësojnë adresimin e përgjegjësive tek punonjësit e QKK-së të larguar nga detyra.
Sipas kineastëve, “asnjë nga punonjësit nuk është larguar nga puna për shkak të shkeljeve ligjore siç pretendon në përgjigjen drejtuar Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, por u është komunikuar ndërprerja e marrëdhënieve të punës në përfundim të periudhës së provës.”
Kineastët ftojnë kryetarin e QKK-së të jetë bashkëpunues dhe të marrë përgjegjësitë për veprimet e kryera, ndërkohë që ngrenë zërin për indiferencën dhe mungesën e reagimit të Ministrisë së Kulturës së cilës i janë adresuar.

mercoledì 5 febbraio 2025

Shoqatat e kineastëve: QKK, shkelje të rënda





Kineastët kundër QKK-së, letër ministrit: Nga keqmenaxhimi po rrezikohet kinematografia! Eol Çashku: Ankesa të pabaza, tregojnë që kam të drejtë

Kineastët shqiptarë dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë me në krye Eol Çashkun janë në konflikt të hapur me njëri-tjetrin. Kineastët i kanë dërguar një letër zyrtare Ministrisë së Kulturës, ku nënvizojnë se drejtori Çashku është në shkelje të rënda ligjore dhe se duhet të merren masa.

Shkelje të rënda procedurale, mosmenaxhim buxheti, shmangie e konkurrencës, mungesa e transparencës dhe favorizime klienteliste, kufizim në të drejtën e krijuesve dhe prodhuesve shqiptarë, mungesa e hapave për “taks incentive”, kaq të domosdoshëm për tërheqjen e bashkëprodhimeve të huaja me kinematografinë shqiptare!

Këto janë vetëm disa shqetësime që komuniteti i kineastëve shqiptarë ngre në lidhje me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë dhe për të cilat, së fundmi ka kërkuar zyrtarisht përmes një letër-kërkese, shkresa që “Report TV” ka siguruar, ndërhyrjen e ministrit të kulturës.

Vetë ministri Blendi Gonxhja, një vit më parë, në emërimin e drejtorit të ri, Eol Çashku garantonte që “jemi besimplotë për aftësitë dhe përvojën profesionale të drejtuesit të ri të kinematografisë shqiptare, i cili ka mbështetjen e plotë të MEKI dhe të qeverisë shqiptare për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori tepër të rëndësishëm për industrinë e ekonominë kreative, përveçse për kulturën tonë kombëtare”.

Tashmë që drejtori ka ezauruar një të katërtën e mandatit të tij katërvjeçar, siç pohojnë vetë kineastët, Qendra Kinematografike është zhytur në një krizë shumë të thellë. Ndaj, pas kontaktit nga ana e kineastëve, Ministria, me të drejtë i kërkon menjëherë QKK-së adresim dhe zgjidhje të situatës së krijuar. Si rezultat, siç thonë kineastët, drejtori Eol Çashku postoi me nxitim një kalendar fiktiv me thirrje për të financuar projektet kinematografike, por që s’kanë ende mbështetje në buxhet, por mbi të gjitha, duke qenë vit elektoral, që mbeten të pazbatueshme, pasi i ndalon Komisioni Zgjedhor, si çdo projekt tjetër i financuar me para të Shtetit. Polemika ndaj QKK-së filloi në fakt që në muajt e parë të emërimit të drejtorit të ri Çashku, i cili, në kundërshtim me sugjerimet e shoqatave të kineastëve miratoi një rregullore të re të brendshme, e cila sipas akuzave ka shkelje ligjore, si dhe shkon në kundërshtim me ligjin e kinematografisë, por edhe me zhvillimet e përgjithshme drejt integrimit evropian.

Megjithëse Ministria e Financave ka konfirmuar zyrtarisht më shumë se një herë për pamundësinë e implementimit të nenit 5 të ligjit “Për kinematografinë”, me një këmbëngulje të pa logjikshme, u bllokua aktiviteti kryesor i QKK jashtë të gjitha limiteve kohore. Për pasojë, vendimmarrja për mbështetjen financiare të projekteve të reja që duhet të bëhen gjatë një viti financiar u bënë për 2 javë, duke shkelur çdo afat të mundshëm të përcaktuar në Rregulloren e Përgjithshme të Mbështetjes Financiare dhe Lejeve nr. 168 Prot., datë 27.05.2024, të miratuar nga vetë z. Çashku. Shkelja e afateve është pasojë minimaliste, po të marrësh në konsideratë faktin që i ndodhur nën presionin e djegies së buxhetit, nëpërmjet mbledhjeve urgjente, u miratuan projekte dytësore, të cilët u financuan me buxhet deri 150 % nga projektet paraardhëse të të njëjtës gjini. Ndërsa që projektet e metrazhit të gjatë me autorë regjisorët shqiptarë të karrierës, projektet e të cilëve mbajnë peshën kryesore të bashkëprodhimeve, distribucionit dhe promocionit të kulturës shiptare në botë, të cilat u shpallën fitues në muajin tetor 2024, u përballën me ulje të konsiderueshme të buxhetit, ndërkohë që dihet mirë sa është niveli i financimeve të filmave të gjatë në rajon dhe Evropë, por edhe sa janë rritur kostot e prodhimit të këtyre projekteve., - shkruhet mes të tjerash në letrën e kineastëve drejtuar QKK-së.

Pas miratimit të rregullores diskriminuese, siç pohojnë kineastët, veprimet e drejtuesit Çashku u pasuan me një fushatë pushimesh të vazhdueshme nga puna të stafit të brendshëm dhe në pak muaj, në QKK është ndërruar tri herë stafi profesional, gjë për të cilën Ministria është vënë në dijeni.

“Burimet njerëzore përfaqësojnë vlerën më të çmuar të çdo institucioni, veçanërisht në një institucion si Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) ku kërkohet një ekspertizë e thelluar. Pavarësisht se vetë Ju si Ministër keni theksuar në mënyrë të përsëritur nevojën për rritjen e kapaciteteve të administratës, situata aktuale në QKK paraqet shqetësime serioze për cilësinë e shërbimit që do të ofrohet. Aktualisht, QKK ndodhet në një situatë disfunksionale që pritet të vazhdojë për disa muaj. Më konkretisht, sipas njoftimit zyrtar, më 20 janar 2025 pritet të përzgjidhen për të tretën herë brenda vetëm tre muajve (Tetor 2024 – Janar 2025) tre pozicione kyçe: Drejtori i Drejtorisë së Projekteve, Përgjegjësi i Sektorit të Financës, dhe Juristi. Ky qarkullim i shpeshtë i stafit është një tregues i qartë i problemeve themelore në menaxhimin e burimeve njerëzore të institucionit. Kriteret e vendosura për këto pozicione ngrenë shqetësime të mëtejshme. Ato jo vetëm që janë jashtë profilit real të punës, por afatet tejet të shkurtra për paraqitjen e kandidaturave (5 ditë kalendarike) krijojnë një dyshim të arsyeshëm se edhe kandidatët e rinj mund të përfundojnë në të njëjtën situatë - duke mos e kaluar periudhën e provës. Kjo do të thellojë më tej ciklin e paqëndrueshmërisë në institucion…”, - thuhet mes të tjerash në letër.

Komuniteti i kineastëve thekson se tashmë, pas një viti sorrollatjeje të dështuar, QKK-ja gjendet në pikën më të rëndë që ka qenë prej vitesh: në konflikt të hapur me masën dërrmuese të kineastëve shqiptarë, të përfaqësuar nga të gjitha shoqatat kinematografike.

Kineastët ngrenë edhe të tjera shqetësime krahas rregullores. Ata i cilësojnë skandaloze veprimet e Çashkut ndërsa nënvizojnë se dhënia pa konkurrencë e me nxitim në fund të vitit e fondeve për të gjithë projektet konkurruese është diçka klienteliste e shpesh me konflikte interesi, gjë që në disa raste është pasqyruar edhe në shtyp.

Idea tjetër e çuditshme ishte këmbëngulja nga ana e Kryetarit që buxhetin e QKK për projektet fituese ta kalojë në një bankë të nivelit të dytë. Nuk dimë një rast të ngjashëm, që një institucion buxhetor të mbartë buxhetin dhe ta konservojë atë në një bankë të nivelit të dytë, duke anashkaluar çdo institucion kontrollues finaciar dhe duke lënë hapësira për abuzime. Pas miratimit të Rregullores së Përgjithshme të Mbështetjes Financiare dhe Lejeve nr. 168 Prot., datë 27.05.2024, shoqatat e kineastëve ju përgjigjën menjëherë kërkesës së z. Çashku dhe në datën 06.06.2024 u kryen procedurat dhe u krijuan Këshillat Miratues të Projekteve. Mosveprimi i Kryetarit për hapjen e thirrjeve për projekte për 6 muaj, megjithë kërkesat tona, tregon mungesën e një plani të qartë strategjik dhe financiar, e cila ka çuar në mosshfrytëzimin efektiv të një pjese të konsiderueshme të buxhetit të vitit 2024, për të cilin komuniteti i kineastëve ende nuk ka asnjë informacion zyrtar për situatën e buxhetit të ezauruar.”, - vijojnë kineastët.

Kjo rregullore është shqetësuese edhe përsa i përket regjisorëve dhe producentëve të rinj, pasi siç theksojnë kineastët përmban norma përjashtuese, duke kufizuar kështu konkurrencën e lirë, sidomos për produksionet e reja dhe regjisorët e rinj.

“Duke kufizuar të drejtën e konkurimit vetëm me degën Regji Filmi, diskriminohet dhe përjashtohet nga gara një brez i tërë regjisorësh. Barriera artificiale janë ngritur edhe për regjistrimin e producentëve të rinj. Si një sipërmarrje e lirë, çdokush ka të drejtë të hapë biznes në fushën që preferon, përfshi edhe produksion filmi apo audiovizual. Kriteret e vendosura në Rregullore bien në kundërshtim me ligjin “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, duke frenuar iniciativën e lirë të sipërmarrjes.”, - nënvizojnë ata.

Sipas kësaj rregulloreje, filmat- vepër e parë nuk mbështeten për bashkëprodhim, ndërkohë që penalizohen apo margjinalizohen krejtësisht autorët e rinj shqiptarë, të cilët gjithashtu nuk mund të kërkojnë mbështetje nga vendet partnere, pasi në kategorinë e “minortiy co-production” përjashtohen regjisorët e vendeve partnere me filma të parë dhe si rrjedhim penalizohen dhe mungon mbështetja për regjisorët shqiptarë, që do të kenë filmat e parë. Ndërkohë që QKK-ja nuk i mbështet plotësisht nga ana financiare, duke i futur kështu në limbo absurde.

Një tjetër pikë, e cila vlen të përmendet është edhe mungesa e kuadrit ligjor, veçanërisht në fushën e stimujve tatimorë (tax incentives), të parashikura nga ligji për audiovizualin, por që nuk zbatohen, gjë që sipas kineastëve po dëmton zhvillimin e sektorit të filmit në Shqipëri, duke penguar ardhjen në vend të producentëve të huaj.

“Situata përkeqësohet nga komunikimi jo i saktë rreth politikave fiskale, ku deklaratat se "Shqipëria është tax free për filmin" nuk pasqyrojnë realitetin dhe krijojnë konfuzion në komunitetin ndërkombëtar. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga komuniteti i kineastëve për stimuj tatimorë, çështja nuk ka marrë vëmendjen e duhur institucionale. Me implementimin e duhur të këtyre mekanizmave, Shqipëria mund të tërheqë investime vjetore prej 20-30 milionë eurosh, duke sjellë përfitime në shumë sektorë si industria audiovizuale, turizmi, transporti dhe hoteleria.,- vërehet në letrën drejtuar ministrit Gonxhja.

Situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm të sektorit. Ndërkohë, drejtuesi i QKK-së, Eol Çashku ka reaguar me një përgjigje drejtuar Ministrisë së Kulturës lidhur me letrën e grupit të kineastëve dhe problemet e mbartura dhe të thelluara të Qendrës së Kinematografisë. Sipas kësaj përgjigjeje “QKK-ja i ka punët shkëlqyeshëm dhe është në kontakt të vazhdueshëm me simotrat e saj evropiane”.

Biles, sa më shumë ta sulmojnë",- përfundon drejtori i QKK-së, "aq më shumë institucioni që drejtoj është në drejtimin e duhur".

https://youtu.be/cGxquCU93FQ?si=OCMe-tPgE80HcYlM





Tirana Film Festival's Fan Box

HONEYMOONS fiton "GOLDEN SPIKE" dhe çmimin FIPRESCI

HONEYMOONS fiton "GOLDEN SPIKE" dhe çmimin FIPRESCI
Genc Permeti gjate ceremonise se ndarjes se cmimeve ne Valladolid International Film Festival ku filmi HONEYMOONS i prodhuar nga SKA NDAL Film Production fitoi Cmimin e Arte dhe cmimin e kritikes