mercoledì 6 gennaio 2010

Regjisori Edmond Budina po xhiron skenat e para të filmit "Vallja e Flamujve"

Regjisori Edmond Budina nis xhirimet për filmin "Vallja e flamujve". Në aeroportin e Rinasit, aktorë shqiptarë dhe të huaj. Budina i zhvendos ngjarjet në jug të Shqipërisë, aty ku duhet të zgjidhet një mister.
Është mesditë, xhirimet pritet të fillojnë nga një moment në tjetrin. Vendi ku do të xhirohet skena është gati. Është një sallë pritjeje, muret, dyert, tavolina janë krejt të bardha. Pas tavolinës qëndron e heshtur një sekretare dhe pak më tej disa njerëz janë duke pritur. Salla duket edhe më e bardhë nga dritat e forta të projektorëve.
Do të xhirohet një skenë në aeroportin "Nënë Tereza". Regjisori, kameramani, i gjithë ekipi po presin aktoren protagoniste. Më në fund ajo vjen dhe dikur dëgjohet një zë: "Aksion"!


Regjisori Edmond Budina po xhiron skenat e para të filmit "Vallja e Flamujve". Një grua rreth të 40-ave po qëndron bashkë me një vajzë përpara tryezës së sekretares. Ajo bisedon e shqetësuar në frëngjishte me vajzën e saj. Nuk ka ndodhur ndonjë aksident ajror, por punët me sa duket nuk po u shkojnë mirë.
 Gruaja që interpretohet nga aktorja franceze Catherine Wilkening - e njohur në ekranin francez në disa serialë televizivë - u drejtohet tre të moshuarve që janë ulur në sallën e pritjes, u kërkon ndjesë dhe largohet. Ajo ka veshur një kostum serioz, pantallona e xhaketë të zezë e poshtë saj një këmishë të bardhë.
 Në këtë skenë është tepër herët për të kuptuar diçka mbi profesionin e saj, madje prej çantës-dosje që mban në duar, të krijohet përshtypja se ajo mund të ketë një profesion të fisëm, avokate, mjeke, apo edhe hetuese.
Krejt e kundërta është vajza që e shoqëron, që interpretohet nga aktorja italiane Veronica Gentili, e parë për herë të fundit para pak ditësh në tapetin e kuq të Festivalit të Venecias, ku prezantohej me filmin "Le Ombre Rosse" të regjisorit Francesco Maselli. Ajo interpreton një personazh që, duke gjykuar nga veshja, nuk mund të jetë më shumë se 20 vjeçe.
Regjisori ka krijuar figurën e një femre tepër moderne, disi moskokëçarëse në veshjen e saj. Një fund tepër i shkurtër xhins, gjysmë çizmet kamosh, në ngjyrë lejla të zbehtë dhe një bluzë jeshile po e zbehtë me mëngë të gjata. Flokët të kapur bisht tregojnë një fytyrë të rregullt, por disi misterioze.
Dialogu mes tyre nuk zgjat shumë, disa minuta. Me largimin e Wilkening-ut mbyllet kjo skenë, por nuk merr fund puna. Do të xhirohet edhe një herë.



 Në monitor regjisori ka vëne re se diçka nuk shkon me veshjen e aktores franceze, xhaketa e saj nuk është e puthitur pas trupit sa duhet. Kostumografi shkon menjëherë drejt saj dhe në pak minuta, çdo gjë është në rregull.
Nis dubla e dytë. Aktorja kësaj here është pak më e tensionuar. Thotë batutat dhe del menjëherë nga skena. As kjo pjesë nuk ishe e duhura.
 Do të bëhet dhe një tjetër. Ndërkohë, regjisori e ka lënë karrigen e tij (që në fakt është një nga ato ndenjëset dyvendëshe që shikon rëndom në vende publike) dhe është drejtuar për tek tre të moshuarit, me zë të ulët u jep disa udhëzime. Njëri prej tyre, (Vilson Gjoça), që duket më i ri se dy të tjerët, ka hedhur në qafë si shall flamurin e Francës.
Në fakt, ngjarja që po xhirohet ndodh në një aeroport të Francës, prej të cilit dy personazhet do të nisen për të ardhur në Shqipëri. Por duke qenë e pamundur për regjisorin Budina të xhirojë në këtë vend, e ka sjellë aeroportin francez në Shqipëri.
Në hollin e aeroportit të improvizuar, gjithçka është shkruar në frëngjisht, udhëzimet për pasagjerët, tabelat e dyerve të administratës, dalja. Madje, për ta bërë më të besueshëm, skenografi ka vendosur edhe një afishe të madhe të "Air France"-ës në një nga muret e hollit.
Diku në cepin më të largët të korridorit është vendosur në një vend shumë të vogël gjithë ekipi: regjisori, drejtori i fotografisë, kostumografi, grimierja, teknikët e zërit dhe disa asistentë. Regjisori ndjek në një monitor të vogël dublën e radhës. Pasi përfundon edhe xhirimi i saj, Budina thotë se mjafton me kaq.
 Tani të gjithë zhvendosen në një ambient tjetër. Skena kësaj radhe është pak më e madhe, dy protagonistet mbërrijnë në aeroportin e Tiranës. Menjëherë lajmërohen një duzinë figurantësh, që të bëhen gati për t'u vendosur në sheshxhirim.
Njëri prej asistentëve fillon t'u shpjegojë shpejt e shpejt se si duhet të vendosen. Dubla e parë, e dytë, e tretë... duket se punët do të vazhdojnë me këtë ritëm deri në mesnatë. Duhen përfunduar xhirimet brenda ditës. E nesërmja do ta shpjerë ekipin diku tjetër për të xhiruar.
 Por përse këto dy të huaja vijnë në Shqipëri? Përgjigja e kësaj pyetjeje përbën boshtin e gjithë filmit. Kërkojnë diçka që i përket së kaluarës. Një i afërm ka ngelur në Shqipëri gjatë gjysmës së parë të shekullit të XX dhe ato kërkojnë të marrin vesh se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me të. Hetimet do t'i hedhin dy evropianet në një fshat në Shqipërinë e Jugut, aty ku edhe zhvillohet pjesa më e madhe e ngjarjes.
 "Do të xhirojmë në një fshat turistik", - thotë Budina, pa bërë publik emrin e tij. "Kjo është edhe një mënyrë për të promovuar pak turizmin shqiptar", - shpjegon ai.
 Ngjarjet e "Valles së flamujve" fusin në lojë personazhe nga vende të ndryshme.
Do të flitet në pesë gjuhë: shqipe, anglishte, italishte, frëngjishte, greqishte e po të llogarisim edhe një batutë në maqedonishte, bëhen gjashtë.
 Dhe jo më kot filmi ka për titull "Vallja e flamujve", pasi është vërtetë një valle ajo që do të heqin këto personazhe për të kuptuar të vërtetën. Vetë regjisori rezervohet të zbulojë më shumë, pasi tema që ka zgjedhur është delikate dhe druhet se ndonjë pakujdesi e vogël mund t'u presë rrugën xhirimeve.
 Nuk dihet se ndjenjat e kujt mund të prekë "Vallja e flamujve", po kujtojmë se disa kohë më parë, kur sapo ishte aprovuar projekti për realizmin e filmit, në një intervistë për "Shekulli"-n, regjisori Budina, teksa fliste për konceptin, është shprehur: "Tek 'Vallja e flamujve' kam trajtuar një ide kundër të gjithë nacionalizmave, kundër të gjithë flamujve pas të cilëve fshihen ideologji, religjione që na shtyjnë të urrejmë njëri-tjetrin ...
 Në Shqipërinë e ditëve tona shohim për shembull që ngrihet një kryetar bashkie dhe thotë të ndahemi, të krijojmë një shtet të Vorioepirit e marrëzira të këtij lloji. Unë mund të jem shumë afër me një grek, me një serb, me një maroken po që janë të ndershëm, se sa me një shqiptar që është kriminel".
 Aktorët vijnë nga pesë vende të ndryshme, Shqipëri, Francë, Itali, Greqi dhe Maqedoni. Petkun e njërit prej personazheve të filmit, regjisori Budina e ka mbajtur për vete, ndërsa rolet e tjera ua ka besuar aktorëve që luajnë në Greqi, Karafil Shena dhe Laert Vasili, si dhe aktorit shqiptar nga Maqedonia, Visar Vishka. Sipas producentit të "Vallja e Flamujve", Robert Budina, xhirimet përfundojnë në fillim të tetorit, me shpresën se filmi do të jetë gati për premierë, ndoshta brenda 2010-ës.
 Kjo është hera e dytë e Edmond Budinës regjisor, pas debutimit më 2003-shin me "Letra ere". Ai vinte nga përvoja si aktor në Shqipëri dhe në Itali, ku jeton që prej 18 vitesh. Në Shqipëri, Budina njihet për interpretimin në filmat "Muri i gjallë" i Muharrem Fejzos, "Vendimi" i Kristaq Dhamos etj., ndërsa përtej detit portreti i tij kujtohet nga loja në serialin "Një vend, një diell".
 Në fillim të viteve 1980 ai do të provonte edhe në teatër, ku së bashku me regjisorin Pirro Mani vë në skenë "Kush e solli Doruntinën". Më pas i kushtohet mësimdhënies në Akademinë e Arteve, angazhohet edhe në Lëvizjen e Dhjetorit dhe emigron drejt Italisë.

Nessun commento:

Posta un commento

Tirana Film Festival's Fan Box

HONEYMOONS fiton "GOLDEN SPIKE" dhe çmimin FIPRESCI

HONEYMOONS fiton "GOLDEN SPIKE" dhe çmimin FIPRESCI
Genc Permeti gjate ceremonise se ndarjes se cmimeve ne Valladolid International Film Festival ku filmi HONEYMOONS i prodhuar nga SKA NDAL Film Production fitoi Cmimin e Arte dhe cmimin e kritikes